Sezione in Albanese

MIRË SE VINI NE FAQEN E INTERNETIT TË KISHËS UNGJILLORE TË UDINES (ADI).

Për të lexuar një dëshmi nga jeta e dikuj ju lutem klikoni më poshtë:

Une jam Matilda dhe jam 21 vjeç, vij nga Berati dhe studioj ne Siena prej 4 vjetesh. Historia e deshmise time fillon që në moshë shumë të vogël. Familja ime është myslymane por nuk është praktikante, kam një motër 7 vjeç më të madhe dhe një vëlla 3 vjeç më të vogël. Në vitet 90 filluan të hapeshin kishat e para evangjeliste dhe si pothuajse në çdo qytet edhe në Berat u krijuan disa kisha. Unë isha shumë e vogël për të kuptuar se çfarë ishte kjo fe e re e padëgjuar më parë, por motra ime filloi të shkonte në një nga këto kisha e të djelave shkoja edhe unë me të. Prindërit tanë nuk ishin aspak "fetar", thoshin shpesh që besonin se ka një Zot atje lart por po nuk punove nuk ke për të ngrënë kështu që me pak fjalë ky Zot ndoshta ekzistonte por atyre nuk i interesonte të dinin më shumë. Kur motra filloj të shkonte në kishë prindërit tanë ishin shumë entusiastë për faktin që ajo filloi të studiojë anglishten duke e praktikuar me misionarët e shumtë që vini në ato kohë në Shqipëri. Siç thashë më sipër unë fillova të shkoj në kishën e fëmijve dhe më pëlqente shumë. Shkova për disa vjet dhe sa herë që shkoja lexoja ndonjë varg ose pjesë nga bibla , mundohesha të isha sa më pjesmarrëse gjatë takimit dhe fillova të thosha që unë tani jam kristiane dhe besoj në Zotin Jezus. Edhe pse nuk e kisha kuptuar thellë se çfarë ishte besimi në Perëndinë, çfarë ishte sakrifica që Zoti Jezus kishte bërë për mua në kryq brenda zemrës sime u krijua një mënyrë e re të së menduari që për çfarëdolloj problemi më bënte ti drejtohesha Perëndisë dhe të kisha besim tek Ai. Ne 1997 prindërit nuk më lejonin më të shkoja në kishë dhe unë nuk insistova shumë. Fillova shkollën e mesme dhe ndërkohë motra erdhi në Itali. Isha një vajzë si gjithë të tjerat, aty ku ishte e nevojshme gënjeja sidomos prindërit, sepse shpesh herë nuk më lejonin të bëja gjëra që mua më pëlqenin të bëja . Ishte normale fakti që të merresha me punët e të tjerëve bashkë me shoqet e mia ,ose të zihesha me vëllain tim më të vogël . Në sytë e njerëzve e familiarëve isha një vajzë shumë e mirë, në shkollë çdo gjë shkonte mirë kështu që edhe me prindërit nuk kisha probleme të mëdha . Po mundohem të shpjegoj në radhë të parë si isha unë para se të njihja Perëndinë sepse edhe pse ne pamje të jashmte isha shumë e qetë dhe e drejtë Perëndia gjeti kaq shumë gjëra të gabuara dhe më hapi sytë duke më bërë të kuptoj që edhe unë kam nevojë për faljen e tij. Pas pak kohë që nuk shkoja më në kishë filluan problemet e para të adoleshencës, unë isha shumë e ndjeshme dhe i përjetoja në një mënyrë shumë të fortë. Gjatë kësaj periudhe Zoti më ka folur dy hërë me një ëndërr në të cilën më thërriste që unë të shkoja tek Ai. Në moshën 15 vjeçare u gjenda në një situatë që më bëri të vuaja shumë, i isha lutur në një farë mënyre Zotit që të bënte atë që unë kisha dëshirë por kjo nuk ndodhi dhe vuajtja u bë e madhe dhe e padurueshme . Një ditë fillova të qaja me të vërtetë shumë, mora Biblën nëpër duar (kisha vetëm Dhjatën e Re) dhe lexova psalmin 34 . Pjesa që më preku më shumë në momentin kur po lexoja ishte vargu 6 që thotë: "Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij". Ky varg ishte një përgjigje për mua prej Zotit, po në ato momente dhimbja u zhduk , sikur dikush ta kishte hedhur tutje. Zemra ime filloj të mbushej me një paqe të mrekullueshme dhe unë falenderoja Zotin me gjithë zemër . Për herë të parë ndjeva praninë e Zotit brenda meje dhe përjetova në realitet atë që Zoti mund të bëjë për të gjithë ne. Nga ajo ditë fillova të lutesha dhe të kërkoja Perëndinë .Më parë thosha që isha e krishterë por aty kuptova që unë kisha nevojë të njihja Zotin me të vertetë në mënyrë personale në jetën time. Në datën 11 korrik 1999 bëra lutjen e shpëtimit duke pranuar Zotin Jezus si Zotin dhe Shpëtimtarin tim duke i kërkuar të falur për gjithë mëkatet e mia . Që nga ajo ditë jeta ime ndryshoi , fillova ti lutesha Zotit Jezus çdo ditë dhe të lexoja Fjalën e Tij. Motra më kishte lënë disa libra në gjuhën angleze të një pastori amerikan që flisnin mbi besimin , autoritetin e besimtarit dhe rritjen në besim. Unë fillova ti lexoja edhe pse kisha vështirësi në të kuptuar gjuhën anglese. Perëndia filloi të më fliste nëpërmjet Biblës, Fjalës së Tij dhe nëpërmjet këtyre librave që lexoja. Veç kësaj shpesh herë në kohën e drekës në televisor jepnin një emision që fliste për shumë dëshmi të personave që kishin pranuar Zotin Jezus si Shpëtimtarin e tyre, dhe mrekulli shpesh herë fizike që Zoti kishte bërë në to. Unë mezi prisja ta ndiqja këtë emision, isha vërtet e etur të mësoja shumë gjëra të reja, ta njihja akoma më shumë Perëndinë dhe lutja ime ishte që të mund të shkoja në kishë , por prindërit e mi vazhdonin të insistonin për jo. Por Perëndia përdorte gjithkça për të më inkurajuar dhe për ti folur zemrës sime . Unë fillova ti shkruaja motrës letra duke i treguar ato gjëra të mrekullueshme që Zoti Jezus po bënte në jetën time. Një ditë ndihesha pak e trishtuar, nuk kisha asnjë njeri që të mund të më inkurajonte në Zotin dhe shihni se çfarë ndodhi: "Rastësisht shoqja ime e ngushtë më jep një radio të vogël (në ato kohë nuk e kishim një të tillë në shtëpi). Unë isha duke dëgjuar muzik në darkë vonë sepse nuk po më zinte gjumi. Pasi u mërzita me muzikën fillova të ndërroja stacionet dhe gjeta një radio kristiane. Pikërisht në ato momente filloi një predikim mbi Mateun kapitulli 14 nga vargu 22 deri në vargun 34, një pjesë ku Jezusi ecën mbi ujë dhe Pjetri i kërkon që edhe ai të eci mbi ujë ". Kjo ishte hera e parë që unë dëgjoja një predikim pasi kisha pranuar me gjithë zemër Zotin Jezus si Zotin dhe Shpëtimtarin tim dhe Perëndia më foli në një mënyrë të mrekullueshme pikërisht mbi situatën që po kaloja në ato momente. Predikuesi ftonte dëgjuesit që të shikonin te Jezusi dhe jo te problemet që mund të na vinin në këtë botë. Në pjesën që citova më sipër Pjetri i kërkon Jezusit që të ecte mbi ujë, dhe deri në momentin kur vështrimi i tij ishte te Jezusi ai eci mbi ujë , por sapo kthehu kokën të shihte dallgët e fuqishme filloi të fundosej. Mesazhi i predikuesit të asaj radioje ishte që ne shpesh herë kur kalojmë momente të vështira, momente prove në vend që të shohim te Jezusi duke pasur besim se ai do të na nxjerrë nga situata në të cilën jemi, shohim problemet dhe dekurajohemi. Me pak fjalë unë atë natë përjetova edhe një herë se sa e mrekullueshme është Fjala e Perëndisë, predikimi i Fjalës së Perëndisë, se sa i gjallë dhe i vërtetë është Perëndia. Sa më shumë kalonte koha aq më shumë fillova të zbuloj dashurinë e madhe që Perëndia kishte për mua dhe një gjë të tillë e konfirmoj edhe sot : Perëndia nuk resht të ma shprehë në të gjitha mënyrat e mundshme këtë dashuri të mrekullueshme. Nga dita në ditë kuptoj më shumë atë varg që thotë "Zoti është Dashuri". Cdo ditë Zoti më fliste me ndonjë varg nga Bibla dhe ngelesha e mahnitur sa herë Perëndia më mësonte gjëra të reja , hidhesha përpjetë nga gëzimi dhe më dukej se kisha mësuar kaq shumë në krahasim me çfarë dija , dhe kjo ndjesi më përsëritej çdo herë.

E gjithë kjo situatë vazhdoi për një vit dhe unë mezi prisja të shkoja në kishë , gjatë kësaj periudhe motra lutej për mua dhe i thoshte edhe mamit e babit që të më linin të shkoja në kishë.

Më së fundi prindërit më thonë që mund të shkoja në kishë , oh gëzimi im ishte me të vërtetë shumë i madh. Takimi i parë ka qënë me të vërtetë i mrekullueshëm, isha bashkë me vëllezërit dhe motrat e mi e mund të adhuroja e lavdëroja Perëndinë , mund të dëgjoja predikimin e Fjalës së Perëndisë. Çdo ditë Zoti më fliste dhe filloi të ndryshonte jetën time në një mënyrë të paparë. Një ditë pastori më dha një libër që fliste mbi mëkatin dhe duke e lexuar arrita të kuptoja shumë gjëra që Perëndisë nuk i pëlqenin në jetën time . Fillova të pendohesha me gjithë zemër përpara Perëndisë dhe duke qarë i kërkoja të falur në emrin Jezus. Sa më shumë Zoti më tregonte gjërat që ishin mëkat përpara tij aq më shumë unë kuptoja dhe ndieja dashurinë e Perëndisë për mua , aq më shumë kuptoja e perceptoja sakrificën e Zotit Jezus në kryq. Më kujtohet sapo lexova në Bibël që të gënjesh është mëkat fillova ti kërkoja të falur Zotit dhe gjëja më e mrekullueshme është që Perëndia më jepte forcën për të mos gënjyer më. Fillova të mos them më gënjeshtra dhe ndieja një lehtësim shumë të madh në zemrën time jo vetëm duke thënë të vërtetën por duke bërë shumë gjëra që ishin në vullnetin e Perëndisë. Një gjë shumë të rëndësishme që kam kuptuar në gjithë këto vite që kam njohur Perendinë është që vullneti i Tij është i përkryer dhe kur Zoti na ndalon të bëjmë ndonjë gjë është jo për të na privuar nga ndonjë kënaqësi por për të na ruajtur nga vuajtja e nga gjykimi. Një herë tjetër më kujtohet që Zoti më foli se e folura keq për persona të tjerë është mëkat dhe mua më dukej shumë e vështirë sepse sidomos në qytete të vogla siç është Berati është e pamundur të mos flasësh për punët e të tjerëve dhe ju luta Perëndisë që të më ndihmonte në këtë mënyrë:" I thashë o Zot unë kam shumë dëshirë ti bindem vullnetit tënd , por të lutem bëj që sa herë që jam me ndonjë person dhe filloj të flas keq për ndonjë njeri bëj që të mos flas dhe të kuptoj se çfarë jam duke bërë . E besoni apo jo ndodhi me të vërtetë kështu , u takova me shoqen time dhe si gjithmonë filluam të flisnim, vura re se në gjithë bisëden që ajo më bëri më fliste vetëm për punët e të tjerëve dhe unë sapo doja të thosha diçka nuk më dilte zëri dhe bllokohesha. Aty kuptova se nëse Zoti nuk do kishte vepruar unë do të kisha folur gjithë kohës për të tjerët". Lavdi Perëndisë sepse është i Madhërishëm dhe i Plotfuqishëm.

Pas 2 vjetësh erdha në Itali për të studiuar. Zoti im Jezus ka bërë kaq shumë gjëra në jetën time sa nuk do dija nga të filloja ... Por mund të them me pak fjalë që në momentin kur pranova Zotin Jezus si Zotin dhe Shpëtimtarin tim kam bërë zgjedhjen më të rëndësishme dhe me të mrekullueshme të jetës sime. Jam me të vërtetë e lumtur, zemra ime është e mbushur me një gëzim dhe paqe që ta jep vetëm Jezusi. Tani bëj pjesë në kishën "Assemblee di Dio in Italia" në Siena dhe çdo ditë Zoti më bekon dhe më ndihmon në çfarëdo situatë që ndodhem. I shërbej Zotit në kishën time duke u mësuar fëmijëve mbi fjalën e Perëndisë dhe shpresoj që të vazhdoj ta bëj në shumë gjëra të tjera në mënyrë që njerëz të tjerë të bëjnë zgjedhjen që bëra unë . Lutja ime është që ti që po lexon këtë dëshmi në qoftë se nuk e ke bërë akoma këtë zgjedhje ta bësh sa më parë duke i kërkuar të falur Perëndisë për mëkatet e tua, duke pranuar sakrificën që Zoti Jezus ka bërë në kryq për ty dhe duke e pranuar Zotin Jezus si Zotin dhe Shpëtimtarin tënd personal .

ZOTI TE BEKOFTE.

Për të na kontaktuar ne, ju lutem na shkruani në: edrin@ucbalbania.com

Nëse do të dëshironin një kopje të Dhjatës së Re apo material leximi ditor na kontaktoni në: edrin@ucbalbania.com